Shprehitë e njerëzve të suksesshëm
Njerëzit e suksesshëm janë tërësi e shprehive pozitive.
Shprehitë pozitive janë një ndër tiparet kryesore, dhe në të njëjtën kohë një ndër sekretet madhështore që i kanë shtyrë zotëruesit e tyre drejt realizimit të ëndrrave dhe ndërtimit të shpresave të tyre në jetë.
Çdo njeri i suksesshëm që sheh sot, që i vëren përvojën, apo që ia analizon projektin dhe misionin e tij, është skajshmërisht i lidhur me këto shprehi. Nëse e pyet, apo të tregon edhe vetë, apo edhe po të lexosh biografinë e tij, do të shohësh se pikërisht ato shprehi e kanë shkruar realitetin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në vijim po paraqes një monolog nga vetë shprehia, në mënyrë që të transmetoj tek ti fjalët e saj:
“Vërtetë, unë jam shoqëruesja jote e përhershme. S’ka dyshim se unë jam gjëja më e rëndësishme që ose të ndihmon, ose t'i shton lodhjet. Unë, ose kam për të të çuar përpara, ose drejt dështimit.
Unë jam pengu i çështjes tënde plotësisht. Mund të drejtohesh tek unë nëse dëshiron të bësh gjysmën e gjërave që je mësuar të bësh.. E për t'i bërë ato, kam për të punuar me shpejtësi dhe saktësi.
Bindem lehtë, prandaj duhet të jesh strikt me mua dhe duhet të më orientosh drejt mënyrës me të cilën duhet t'i kryej gjërat. Pas ca leksioneve të vogla, kam për t'i bërë ato në mënyrë automatike.
Sigurisht, unë jam shërbyese e çdo njeriu madhështor, por edhe e çdo dështaku, fatkeqësisht. Ata njerëz të mëdhenj që i sheh atje, i kam bërë unë, por edhe ata dështakë.
Unë s'jam vegël, pavarësisht faktit se punoj me të njëjtën saktësi. Mund të më përdorësh për të fituar, mund të më përdorësh për të dështuar; për mua nuk ka dallim. Më merr, më stërvit, ji strikt me mua dhe kam për ta sjellë botën nën këmbët e tua. Ji neglizhent me mua dhe kam për të të shkatërruar.”
Ndoshta e kuptove fjalën e saj të prerë: “Më merr, më stërvit, ji strikt me mua dhe kam për ta sjellë botën nën këmbët e tua. Ji neglizhent me mua, dhe kam për të të shkatërruar.”. Kjo është e vërteta që i ka prodhuar ambiciet e të mëdhenjve dhe që e ka shkruar realitetin e tyre në më të bukurën formë; në të njëjtën kohë, është po e njëjta që ka shkruar për shumë të tjerë dështimin.
Në fakt, unë nuk kam për të folur rreth të gjitha shprehive, e as nuk do t'i përkufizoj ato të gjitha në një copëz flete, por do të fokusohem në disa më kryesoret që kanë krijuar ëndrrat e zotëruesve të tyre, e që i kanë shtyrë drejt përfundimeve madhështore në jetë.
Shprehia e parë, e zakonisht edhe shtylla kryesore në suksesin e çdo njeriu të suksesshëm, është: “Fillo, duke e pasur përfundimin në mendjen tënde”. Kjo shprehi është fytyra tjetër e vizionit, për të mos thënë që është vetë vizioni.
Madje në traditën e të mençurve, çdo gjë ndërtohet dy herë: një herë në mendje, e më pas në aktualitet.
E ardhmja, jeta, historia jote shkruhen së pari në botën e imagjinatës, në botën e vizionit futurist. Ti mund të jetosh në botën e imagjinatës një pjesë të kohës dhe pastaj ta shkruash historinë tënde në jetën reale.
Imagjino sikur ke vdekur. U shpërngule nga toka, i përshëndete të gjithë ata që i do. Imagjino çastin e largimit tënd, i bartur mbi qafat e njerëzve. Pikërisht në atë moment, çfarë mund të thuhet për ty? Cilat janë gjurmët që lë pas vetes?
Kolegët e tu, shokët e tu... çfarë mund të thonë ata për ty në ditën e lamtumirës tënde? Mendo, vallë çfarë thotë në atë moment çdonjëri që mori pjesë në ditën tënde të lamtumirës? Mendo së dyti – e kjo është më e rëndësishme – ku je me Zotin tënd? Ku je me përgatitjen tënde për në ditën e Kijametit, në ato momente të llogaridhënies?
Kjo shprehi është madhështore dhe e jashtëzakonshme. Është madhështore sepse në të qëndron esenca e zotërimit të së ardhmes, ndërtimi i shpresës pasuese, si dhe vënia e themeleve të aspiratave të larta para realizimit të tyre. Këtij zakoni i jepte tepër rëndësi edhe profeti (s.a.v.s.) në fillesat e thirrjes në rrugën e Allahut, duke thënë: “Kjo çështje e fesë do të arrijë aty ku arrin nata e dita”. Kjo është ajo shprehia që e bën diellin tënd të ndriçojë përgjithmonë.
Shprehia e dytë: fillimi i menjëhershëm. Kjo shprehi është po ashtu thelbi i jetës së njerëzve të suksesshëm. Sikur të mos ngërthente në vetvete gjë tjetër pos idesë se “ti je përgjegjës i tërë jetës tënde, i suksesit dhe i dështimit të saj në të njëjtën kohë”, do të ishte një mësim i mjaftueshëm në lidhje me përgjegjësinë individuale në jetën e secilit.
Karakteristika më e veçantë e njeriut që i fillon gjërat menjëherë, është të qenurit e tij optimist në shkallën më të lartë të mundshme. Atë e gjen gjithmonë në radhët e para, shkruan atë që i lë mbresë, hap një shteg të ri dhe thellohet në hapësirën e shndritjes së tij, më tepër sesa në atë të ankesës për aktualitetin dhe fajësimit të të pashpresëve.
Njeriut i prezantohen mundësitë në çdo moment. Prandaj, nuk është e rëndësishme kur e kuptojmë se para vetes kemi një mundësi. E rëndësishme është kur kuptojmë se madhështia jonë e vërtetë fshihet prapa shfrytëzimit së kësaj mundësie sapo të jetë shfaqur.
Në jetën e tij, njeriu jeton brenda dy sferave: sfera e brengave dhe e ndikimit.
Sfera e brengave përmban gjërat që të brengosin dhe që ndikojnë në jetën tënde, por që ti vetë nuk ke kurrëfarë ndikimi mbi to.
Sfera e ndikimit përmban gjëra tek të cilat ti mund të ndikosh, qoftë pozitivisht apo negativisht.
Tek njeriu i suksesshëm në këtë botë, sfera e ndikimit zgjerohet në mënyrë të dukshme, dhe rrjedhimisht zvogëlohet e ngushtohet sfera e brengave. I suksesshmi angazhohet vetëm në gjëra të realizueshme. Ajo që ka në duar janë fitimet, dhe në jetën e tij, aftësitë dhe energjitë që zotëron, prekin nivelet më të larta. Për pasojë, sfera e brengave fillon të dobësohet e të zhduket tërësisht.
Shprehia e tretë: ajo që është më e rëndësishme, vjen e para. Kjo do të thotë se ti i rendit gjërat më parësore në radhë të parë, çka të bën të jesh vazhdimisht i përqendruar dhe të mundëson arritjen e rezultateve të shpejta.
Nuk gjej shembull më të saktë në lidhje me këtë koncept, sesa atë të gjuetarit i cili fshihet e maskohet prapa gjahut të tij, dhe çdo kafshë që i shfaqet përpara, - prej lepujve e drerëve, - as që i bën fare përshtypje, derisa të mos i jetë shfaqur gjahu i dëshiruar, edhe nëse ndonjë gjah tjetër në ato momente do të ishte më i lehtë për ta gjuajtur. Mirëpo, në momentin që e gjuan atë që ka synuar dhe kthehet prej gjuetisë së tij, përgjatë rrugës, ai gjen të gjitha ato kafshë që i janë shfaqur më herët, duke qëndruar ende në pritje.
Në një kurs trajnimi, një trajner erdhi njëherë me një enë të zbrazët, në të cilën vendosi disa gurë të mëdhenj derisa u mbush. Pastaj, i pyeti ata që kishte përreth: “A u mbush ena?” Iu përgjigjën: “Po”. Më pas, ai mori disa guralecë të vegjël, të cilët i futi në enë, dhe i pyeti sërish: “U mbush?” I thanë: “Po”. Më tej mori ca rërë të cilën e zbrazi, derisa e plotësoi enën, dhe iu tha: “U mbush?” I thanë: “Po”. Më pas, ai mori pak ujë të cilin e derdhi në enë derisa e mbushi të tërën përfundimisht, dhe iu tha atyre që kishte përreth: “E tillë është jeta jonë. Kur e mbushim atë me gjëra të mëdha dhe parësore, mbetet vend ende për të marrë gjëra të mëdha. Por nëse qysh në fillim e mbushim atë me gjëra të vogla, ajo mbushet, dhe më pas nuk mbetet vend në jetën tonë për gjëra të mëdha dhe parësore.”
Ky mësim duhet kuptuar e studiuar çdoherë në jetën tonë!
Kështu ishte i dërguari (s.a.v.s.), thotë Aishja (r.a.): “Ai ishte shërbëtor i familjes së tij. E kur dëgjonte thirrjen për namaz, shkonte për t'u falur duke përsëritur fjalën: ‘Namazi, namazi!’”.
Isa bin Musa El-Hashimiu ka thënë: “Kam kaluar tridhjetë vite duke lakmuar që t'iu bashkohem njerëzve në ngrënien e herisit në treg, por nuk e pata një mundësi të tillë, për shkak se më duhej të paraqitesha sa më herët tek dijetarët e hadithit.”
Ibn El-Xheuziu i priste mysafirët e tij me një deng letrash para vetes, të cilat i copëtonte në pjesë, si dhe me lapsa që i mprehte, duke u përgatitur kështu për prioritetet e tij më të rëndësishme.
Këto janë disa shprehi të cilat, një ditë, mund t’i çojnë zotëruesit e tyre drejt të ardhmes së premtuar. Prandaj, fillo përvojën tënde madhështore me to dhe nise udhëtimin e synimit të lartë në jetën tënde.
Fillo rrugëtimin e projektit tënd, me shpresën që ditët kanë për të të çuar drejt të gjitha ëndrrave të tua të mëdha.
Pishtar: Njerëzit e suksesshëm janë thjesht një grumbull i shprehive pozitive.