
Iluzioni
Iluzioni është një fjalë shkronjat e së cilës, që të gjitha, në vetvete ngërthejnë kuptimet e frikës, dështimit dhe rënies.
Iluzioni është fjalë e cila për çdo ditë vret miliona njerëz në të gjitha skajet e globit.
Iluzioni është gënjeshtër e cila në vetvete nuk përmban kurrfarë vërtetësie, është fjalë pa kuptim, është trup pa shpirt në të; prandaj, si e tillë nuk e tejkalon të qenurit e një botëkuptimi që nuk zë asnjë hapësire në realitet.
Iluzioni është fjalë shumë më e rrezikshme sesa sëmundjet më të rënda fizike. Kjo për arsye se sëmundja fizike mund ta çojë njeriun drejt vdekjes një herë, ndërsa iluzioni e bën atë të vdesë miliona herë.
Iluzioni e bën njeriun vegël që e shfrytëzon sa herë i teket dhe ashtu siç do.
Iluzioni është sëmundje që buron në thellësi të mendjes, që jeton në qendër të trurit, dhe që prej aty e shkruan dështimin e njeriut dhe humbjen e jetës së tij.
A ka gjetur njeri dëm më të madh në jetë, sesa prej gjurmëve të kësaj sëmundjeje?
Sot janë të shumtë ata që vuajnë nga sëmundja e iluzionit. Arsyeja e mossuksesit të tyre është pikërisht iluzioni. Arsyeja e përhumbjes së tyre në jetë është iluzioni. Iluzioni është sëmundja e miliona njerëzve.
Të gjithë ata që i sheh se kanë ngelur në mësim, apo që kanë dështuar në ndonjë projekt, ose që nuk janë përpjekur më, janë thjesht njerëz të sëmurë në mejdanin e jetës dhe sëmundja e tyre është iluzioni.
Rezultatet e kësaj sëmundjeje janë katastrofa të mëdha. Pasojat e saj i bart mbi supe njeriu. Ato u përkasin më tepër thellësive të burgjeve sesa shtigjeve të lirisë.
Kjo sëmundje nuk pranon mjekim në asnjërën nga klinikat e globit, e as nuk lejon që i sëmuri i saj të shtrohet nën përkujdesjen e spitaleve.
Njëri nga luftëtarët më të mëdhenj indianë kishte shkruar në ditarin e tij këto fjalë: “I tërë shqetësimi dhe ankthi i indianëve, në shumicën e rasteve vjen si pasojë e fantazive të tyre dhe aspak nga realiteti!”
Një tjetër tha: “Mendja, prej aty ku ndodhet dhe me vetëdijen e saj mund ta shndërrojë parajsën në ferr dhe ferrin në parajsë!”
Dhe mirë e kishte! Mendjet që ushqejnë iluzionin, e shndërrojnë begatinë në shkretëtirë të zhveshur prej çdo lloj bereqeti apo hareje jetësore.
Mendimet negative si dhe iluzionet e rreme janë sëmundjet me rrezikshmërinë më të madhe për mendësinë njerëzore. Në shumicën e rasteve, mjekimi i tyre është shumë më i rëndësishëm sesa mjekimi i sëmundjeve ndaj të cilave ekspozohen trupat tanë.
Të shumtë janë ata njerëz të cilëve sëmundjet fizike ua prishin gjumin. Për trajtimin e tyre, ata shpenzojnë mijëra euro. Asnjëri prej tyre nuk arrin ta gëzojë shijen e jetës, derisa të rehatohet me shëndetin e tij dhe të bëhet mirë. Në anën tjetër, ka edhe shumë prej atyre që janë të prekur nga iluzioni, e që asnjërit nuk i nevojitet diçka më tepër, përveç logjikimit të shëndoshë për mjekimin e kësaj sëmundjeje.
Të gjithë të dorëzuarit nga përpjekja, shpresëhumburit në rrugë dhe dështakët në sferën e punës, janë të sëmurë nga iluzioni. Të tillët sot e kanë më se të nevojshme që të çlirohen nga burgu i iluzionit dhe të shërohen nga robëria e tij.
Përfytyruesi iluzionist duhet ta ketë parasysh se jeta është përpjekje e guximshme, se vlera e tij fshihet në të përqafuarit fort të lirisë së tij, në të çliruarit e vetvetes prej sëmundjes së iluzionit, në të zgjeruarit e shpresës drejt aspiratave dhe ambicieve. Ai duhet të dijë se i ka ardhur koha që të vrapojë me vrull mbi të tëra sipërfaqet e botës, në mënyrë që ta arrijë fatin e tij dhe t'i refuzojë prej vetvetes mbetjet e kësaj sëmundjeje.
Pishtar: Iluzioni është një tregim shkatërrues, ngjarjet e të cilit i shkruan vetë njeriu.